Çfarë është Ligji? Përkufizimi

LIGJ m.

1. Normë, rregull që vendoset nga organi më i lartë i pushtetit shtetëror dhe që është e detyrueshme për të gjithë organet shtetërore dhe për të gjithë shtetasit. Ligjet e shtetit. Ligji mbi zgjedhjet. Njohja e ligjeve. Zbatimi i ligjit. Sipas ligjeve në fuqi. Është vendosur me ligj. Është në përputhje (në pajtim) me ligjin. Është jashtë ligjit nuk është në pajtim me ligjet; nuk mbrohet nga ligjet në fuqi; nuk e lejon ligji.

2. Rregull, normë që e pranojnë dhe e zbatojnë të gjithë si diçka të përgjithshme a të detyrueshme. Ligjet e mirësjelljes. Ligje të pashkruara. I tillë ishte ligji i luftës. Veprojnë sipas ligjeve të xhunglës.

3. filoz. Lidhje e brendshme, e qenësishme dhe e domosdoshme ndërmjet sendeve e dukurive të natyrës e të shoqërisë, që përcakton zhvillimin e tyre dhe e bën procesin botëror një të tërë të vetme. Ligjet e përgjithshme (e veçanta). Ligjet e zhvillimit të natyrës e të shoqërisë. Ligji i zhvillimit objektiv. Ligjet e lëvizjes.

4. spec. Përgjithësim që nxirret duke vëzhguar e studiuar dukuritë e natyrës e të shoqërisë dhe duke zbuluar në to atë që është e përbashkët, e rregullsishme dhe qenësore. Ligji periodik. kim. Ligjet e shkencës. Ligjet e materializmit dialektik e historik. Ligjet e fizikës. Ligji i ruajtjes së energjisë. fiz. Ligji i vlerës (i mbivlerës). ek. Ligji i mohimit të mohimit. filoz. Ligjet e fonetikes. gjuh.

5. fet. Sistem rregullash që feja kërkon të zbatohen nga besimtarët. Ligjet hyjnore. Ligjet e fesë.

6. bised. E drejtë. I dha ligj atij. Ka ligj të mos e dojë. Kështu nuk ke ligj.

Popular posts from this blog

Çfarë është Romani? Llojet e Romaneve

Çfarë është Udhëpërshkrimi? Përkufizimi